Vuçiqi i bëri këto deklarata gjatë një adresimi publik në televizionin Pink mëngjesin e së dielës, një ditë pasi u takua në Beograd me pesë diplomatët perëndimorë.
Ai e përsëriti se takimi i djeshëm ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.
“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, tha Vuçiq.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se tentoi ta “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pas takimit me Vuçiqin, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, e përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht, si dhe i kërkoi Serbisë të bashkëpunojë në këtë çështje.
Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, dhe presidentin serb Vuçiq në Beograd, që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Lajçak tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.
Lajçak deklaroi në Prishtinë se me katër diplomatët e tjerë vizituan Prishtinën dhe Beogradin me një plan.
I pyetur nëse pret trysni, Vuçiq tha se vendet e Perëndimit i kanë politikat dhe qëndrimet e veta të cilat “janë plotësisht të kundërta me qëndrimin tonë”.
“Ne duhet ta kuptojmë atë realitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qëndrimin, Gjermania nuk do ta ndryshojë qëndrimin”, tha Vuçiq.
Ndërkohë, kryeministri kosovar Kurti theksoi pas takimit të shtunën me pesëshen diplomatike se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën janë siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, tha Kurti.
Në lidhje me dialogun, ai theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.