Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për Sky News se Millan Radoiçiqi nuk është mik i tij, por bashkëpunëtor i afërt, për shkak se ai ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

“Ai akuzohet [në Serbi] për një krim të madh dhe serioz”, theksoi Vuçiq.

Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit. Gjatë këtij sulmi u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Pasi zunë në prit një patrullë policore , sulmuesit u strehuan në manastirin e Banjskës dhe vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar si akt terrorist, ndërkaq Serbia mohon çdo përfshirje në sulmin, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Radoiçiqi.

Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiq tha se ai nuk mund t’i quajë sulmuesit terroristë, edhe pse tha se dënon vrasjen e policit kosovar.

“Ata persona [sulmuesit] u dëbuan nga pragu i tyre”, tha Vuçiq, duke shtuar se sulmuesit “kanë jetuar atje [në Kosovë] dhe dëshironin që të riktheheshin”.

Dislokimi i ushtrisë “nuk është faktor destabilizues”

Vuçiq tha se dislokimi i ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën nuk ishte një faktor destabilizues në Kosovë.

“Ushtria u dislokua sepse situata në Kosovë ishte e vështirë. Këtë gjë bëjnë ushtritë në mbarë botën, por pa qëllim për të sulmuar dikë”, tha Vuçiq.

Lideri serb tha se vetin e kaluar, Serbia kishte vendosur 14.000 ushtarë afër kufirit.

“Ne e kemi shtensionuar situatën. Ne do të kemi njerëz nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të cilët do të shohim se ne tani aktualisht kemi afër 4.400 ushtarë [afër kufirit]”, tha Vuçiq.

Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Serbia “ka nisur tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën. Uashingtoni e cilësoi këtë si “lajm të mirë”.

Ushtria serbe u dislokua përgjatë kufirit me Kosovën pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

 

administrator

Related Articles