Vitia: Gjendje stabile e të hospitalizuarve pas helmimit në Malishevë
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë të shtunën se gjendja e të helmuarve një ditë më parë në Komunën e Malishevës është stabile.

Të premten është raportuar për një rast helmimi në këtë komunë, por ende nuk dihet shkaku  i saktë i sëmurjes së 68 qytetarëve.

Ministri Vitia ka thënë se 11 qytetarë janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe nëntë tjerë janë në shtirë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

“Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, ka thënë Vitia përmes një postimi në Facebook.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se helmimi dyshohet të jetë bërë me ushqim “në një biznes në Malishevë”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë është përgjegjëse për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përmes sigurisë ushqimore, që Kosova synon ta ketë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

 

administrator

Related Articles