Përmes një deklarate të lëshuar më 13 tetor, ushtria tha se trupat kanë hyrë në Gazë për të luftuar militantët, për të shkatërruar armët dhe për të gjetur dëshmi lidhur me pengjet që po mbahen nga grupi militant palestinez i Hamasit.
Ky njoftim megjithatë nuk dukej se sinjalizonte për nisjen e pushtimit të pritur tokësor të Gazës.
Izraeli ka grumbulluar trupa përgjatë kufirit me Rripin e Gazës që nga inkursioni vdekjeprurës i 7 tetorit që kryen militantët e Hamasit.
Njoftimi për bastisje vjen në ditën kur autoritetet izraelite paralajmëruan mbi 1.1 milion banorë të Gazës që të largoheshin për në jug të Gazës.
Që nga sulmet e koordinuara nga ajri, toka dhe deti që Hamasi kreu më 7 tetor ndaj Izraelit, ky i fundit ka bombarduar Gazën dhe e ka rrethuar këtë territor. Autoritetet izraelite kanë thënë se do të mposhtin Hamasin.
Ky grup militant udhëheq Gazën që nga viti 2007 dhe pas paralajmërimit të izraelit për evakuim, u ka bërë thirrje palestinezëve në Rripin e Gazës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Si pasojë e dhunës, mbi 1.300 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 1.500 në Gazë. Po ashtu, dhjetëra pengje janë marrë nga militantët e Hamasit.