“Përse një ngjarje, një tension në një vend ka ndikim në krejt Ballkanin? Për arsye se ne jemi vende të vogla dhe çdo investitor që vjen për të investuar, Ballkanin e sheh si një treg të vetëm, një treg prej 17 milionë banorësh apo 17 milionë konsumatorësh”, thotë Rafuna.
Veriu i Kosovës mbetet vatër tensionesh që nga paslufta, më 1999. Rreth 50.000 serbët që jetojnë atje, nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të vetin.
Tensionet kanë arritur kulmin më 24 shtator, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.
Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Serbia ka mohuar se ka gisht.
“Rasti i fundit në veri të Kosovës mund të ketë shtyrë investitorë t’i pezullojnë ose t’i shtyjnë për një kohë investimet e tyre”, shpreh bindjen Rafuna.
Mbizotëron tema e veriut
Argumentet e tij i mbështet edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani.
Ai thotë se sa herë që bisedohet për mundësinë e ardhjes së ndonjë kompanie të huaj në Kosovë, mbizotëron tema e veriut.
“Situata në veri është pengesë për secilin qytetar, e lëre më për një investitor potencial, i cili do ta shtrinte kapitalin e tij”, thotë Ujkani për Radion Evropa e Lirë.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se ky është një problem që e përcjell Kosovën qysh nga paslufta.
“Investitorët e huaj nuk e kanë parë me sy të mirë Kosovën në këta 24 vjet”, thotë ai.
“Gjithmonë e lidhin me imazhet e konfliktit e luftës. Fatkeqësisht, perceptimi i tyre vazhdon të rëndohet sa herë që ka tensione në pjesën veriore”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Në çdo takim me investitorë potencialë ndërkombëtarë, shton ai, pjesa më e madhe e kohës shpenzohet në riparimin e dëmit që i bëjnë tensionet në veri imazhit të Kosovës.
Siguria si shqetësim është theksuar edhe nga disa investitorë që kanë folur më herët për REL-in.
Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) nuk iu përgjigj interesimit të REL-it rreth reagimeve që kanë shfaqur investitorët aktualë dhe potencialë pas tensioneve të fundit në veri.
KIESA është institucion shtetëror që ka mandat t’i mbrojë dhe mbështesë investimet e huaja.
Pak kompani të huaja
Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës del se nga viti 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, vlera e investimeve të huaja direkte ka arritur në afro 5 miliardë euro.
Investimet kanë qenë të përqendruara kryesisht në sektorin e patundshmërisë, pastaj atë të financave dhe sigurimit.
Por, sipas BQK-së, vlera më e madhe e tyre i atribuohet diasporës së Kosovës.
“Ne nuk kemi investime të korporatave që kanë nam global”, thotë Zeka.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për investime që ndikojnë në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe, rrjedhimisht, në rritje ekonomike.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i ndërmarrjeve të regjistruara në vend në vitin 2022 ka qenë 11.024.
Vetëm 49 ndërmarrje kanë qenë të regjistruara si kompani të huaja.
Sipas ASK-së, ato janë të vogla, pasi që numri i të punësuarve nëpër to është më pak se dhjetë.
Ndërkaq, në tremujorin e parë të këtij viti, po sipas ASK-së, numri i kompanive të huaja të regjistruara ka qenë 16.
Masat ndëshkues të BE-së
Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.
Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.
Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë për Radion Evropa e Lirë se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.
Zona e lirë ekonomike në veri
Për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në dhjetor të vitit të kaluar, ka dalë me idenë për krijimin e një zone ekonomike në veri të Kosovës.
Por, ideja ka mbetur si e tillë, pasi nuk është ndërmarrë ndonjë hap në praktikë.
Duke e komentuar atë, Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se “të fokusuarit në aspektin ekonomik – kudo ku ka tensione ndëretnike – është zgjidhja më e mirë dhe më afatgjate”.
Sipas një ankete të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe organizata Iniciativa e Re, 46 për qind e qytetarëve serbë të anketuar kanë thënë se mungesa e vendeve të punës është shqetësim kryesor për ta.
Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e fundit të vitit 2022 ka qenë 11.8 për qind.
ASK-ja nuk posedon të dhëna zyrtare për gjendjen ekonomike dhe sociale në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të banuara me shumicë serbe.