Gjatë një ceremoni të nënshkrimit të donacionit në Prishtinë, Hovenier tha se ndihma më e fundit e SHBA-së për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë “pasqyron përkushtimin afatgjatë të tyre për zhvillimin e Policisë së Kosovës”.
“Kjo është dëshmi shtesë e besimit të SHBA-së ndaj Kosovës për kryerjen e misioneve të pavarura në luftë kundër narkotikëve dhe zbatim të ligjit”, tha Hovenier.
Donacioni amerikan për Policinë e Kosovës vjen rreth tri javë pasi ajo u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Duke e parë shkallën e aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara në rajon, këto mjete fluturuese pa pilotë do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtarit kriminale në tokë dhe në ajër”, shtoi Hovenier.
Policia e Kosovës përdori dronë për ta xhiruar dhe identifikuar organizatorin e sulmit në Banjskë, Millan Radoiçiq, i cili më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia do të mundohet t’i përdorë dronët e dhuruar nga SHBA-ja në mënyrën më të mirë të mundshme për të forcuar siguri sa më të madhe për qytetarët e gjithë Kosovës.
“Donacioni do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të policisë për të menaxhuar situata në terren, përfshirë në monitorimin e kufijve të Kosovës dhe në operacione të tjera të hetimit që Policia e Kosovës do t’i kryejë në të ardhmen”, tha Hoxha.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Më 3 tetor, Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, u arrestua në Serbi, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë.