Rusia kryen sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj caqeve civile në Ukrainë
Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj disa zonave civile në Ukrainë, duke shkaktuar viktima në civilë dhe dëme në infrastrukturë, njoftoi Ushtria e Ukrainës më 23 tetor.

Tetë zona civile në rajonet e Donjeckut, Hersonit, Berislavit, Sumit dhe Odesës u sulmuan në serinë më të fundit të sulmeve ruse me dronë dhe raketa, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Në Donjeck, një ndërtesë u godit dhe mori flakë si pasojë, tha ministri i Brendshëm Ihor Klymenko në Telegram, pa dhënë hollësi për të dhe vendndodhjen e saj. Zjarri u shua nga zjarrfikësit, shtoi ai.

Ai theksoi se në Herson dhe Berislav, fshatrat Tiaginka, Pridniprovske dhe Mikilske, u goditën nga 14 raketa, ku u plagos një person.

Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse Jugore të Ukrainës raportuan se nëntë dronë rusë, që tentuan ta sulmojnë infrastrukturën në portin e Odesës në Detin e Zi, u rrëzuan mëngjesin e 23 tetorit.

Copëzat e njërit prej dronëve të rrëzuar e dëmtuan një depo dhe shkaktuan zjarr, i cili u shua shpejt, tha ushtria, duke shtuar se nuk u raportua për viktima.

Sulmet me dronë Shahed, të prodhuar në Iran, zgjatën gati katër orë, sipas saj.

Në rajonin lindor të Donjeckut u vranë tre civilë në 24 orët e fundit, tha guvernatori rajonal, Ihor Moroz, më 23 tetor.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij do t’iu përgjigjet sulmeve të tilla.

“Ne do të përgjigjemi patjetër ndaj çdo manifestimi të terrorit rus. Dhe ndaj këtij sulmi, po ashtu”, tha ai.

administrator

Related Articles