“Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët se, një mënyrë e tillë e funksionimit, nuk mund të funksionojë. Institucionet tona kanë kryer detyrat në afatet e duhura të marrëveshjes, kurse nga pala tjetër ka sabotim,” tha Rizvanolli.
Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë më 2013, por ajo kurrë nuk ishte zbatuar në tërësi.
Në qershor 2022, palën u pajtuan në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.
Në bazë të udhërrëfyesit, kompania për furnizim dhe faturim të veriut me rrymë do të merret kompania serbe, Elektrosever, por BE-ja kishte konfirmuar vitin e kaluar se ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit.
Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.
Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.
Por, Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë ndonjë shumë të mjeteve financiare për pagesën e faturave të energjisë elektrike për banorët e katër komunave në veri të Kosovës.
“Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri,” tha Rizvanolli për mbledhjes se Qeverisë të enjten.