Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Paraprakisht atij iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se bashkë me disa persona – tash për tash të panjohur – kanë kryer vepra penale të bashkimit, me qëllim të kryerjes së veprave penale: “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Policia në Bosnje dhe Hercegovinë paralajmëroi se do të nisë verifikimin e pretendimeve se Radoiçiq ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese nga Tuzlla.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet.

Edhe ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për REL-in se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me Radoiçiqin.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

MPB-ja serbe tha se Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.

Më 29 shtator, Radoiçiq – i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krim të organizuar ndërkombëtar – mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Çfarë tha tjetër Prokuroria serbe?

Pas seancës dëgjimore, Prokuroria serbe tha se i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes.

“Si udhëheqës i një grupi me disa persona, me veprim të përbashkët dhe me veprim përgjithësisht të rrezikshëm, ai ka rrezikuar jetën e njerëzve në Banjskë, në territorin e ‘Kosovës dhe Metohisë’, më 24 shtator”, tha Prokuroria serbe.

Më 30 shtator, siç njoftoi MPB-ja e Serbisë, Radoiçiq dha deklaratë “në cilësinë e qytetarit” për “rrethanat e ngjarjes tragjike në Banjskë”.

Atë ditë u tha se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtutjeshme procedurale në kompetencë të saj.

Avokati: Radoiçiq konfirmoi gjendjen faktike, mohoi kryerjen e veprave penale

Avokati mbrojtës i Radoiçiqit, Goran Petronijeviq, tha se klienti i tij ka mohuar të ketë kryer vepra penale, por jo edhe gjendjen faktike.

“Ai ka shpjeguar në detaje gjithçka që ka bërë, nuk e ka mohuar gjendjen faktike. Ai e ka konfirmuar absolutisht gjendjen faktike, por ka mohuar se ajo ka të bëjë me veprat penale, me të cilat ngarkohet. Ai i ka shpjeguar motivet e tij”, u tha Petronijeviq gazetarëve.

I pyetur për të komentuar pretendimet e Prokurorisë se Radoiçiq ka siguruar armë nga Tuzlla dhe se nga Beogradi i ka transportuar në Kosovë, Petronijeviq tha se kjo është “pjesë integrale e deklaratës së tij [Radoiçiqit]”.

Ai nuk dha detaje të tjera.

Tha, po ashtu, se “përveç shkrimeve dhe regjistrimeve të mediave, deri më tani, nuk ka asnjë provë për ato [vepra] me të cilat ngarkohet Radoiçiq”.

Sipas avokatit, Radoiçiq është ende në ndërtesën e Prokurorisë.

Armët për të cilat kishte leje, i janë konfiskuar përkohësisht, tha Petronijeviq.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator se autoritetet përgjegjëse të Kosovës, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi për REL-in se ka nisur hetimet për sulmin në Banjskë dhe se, aktualisht, është në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast.

BE: Kosova ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të hënën se autoritetet e Kosovës kanë mandat për hetimin e sulmit në Banjskë dhe se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte.

Ai tha se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur.

Në bazë të asaj, shtoi Stano, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.

As Prokuroria e Serbisë, as Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it të hënën nëse do të bashkëpunojnë me Kosovën në hetime.

Për bashkëpunimin mes dy vendeve është përgjegjës Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.

Në ueb-faqen e këtij misioni thuhet se “EULEX-i mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”.

Ngjashëm, as EULEX-iu nuk iu përgjigj interesimit të REL-it nëse do të ndërmjetësojë mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me këtë rast.

administrator

Related Articles