Partia në pushtet udhëheq në zgjedhjet polake, por opozita pretendon fitore
Partia në pushtet në Poloni, Ligji dhe Drejtësia (PiS) vazhdon të jetë forca më e fuqishme edhe pas zgjedhjeve të së dielës, sipas sondazheve më të fundit.

Megjithatë, tri parti opozitare janë duke festuar për mundësinë e formimit të qeverisë së re.

Partia nacionaliste e kryeministrit Mateusz Morawiecki, i ka fituar 36.8 për qind të votave, sipas sondazheve të kryera nga Instituti Ipsos në mbrëmjen e së dielës.

Partia opozitare liberale Koalicioni Civil, e ish-kryeministrit Donald Tusk, është renditur e dyta me 31.6 për qind të votave.

Sipas parashikimeve, partia PiS nuk do të mund ta formojë e vetme qeverinë, në mungesë të ulëseve të mjaftueshme në kuvend.

Tusk e ka konsideruar veten fitues.

“Nuk kam qenë kurrë më i lumtur për pozitën e dytë. Polonia ka fituar, demokracia ka fituar, ky është fundi i qeverisjes së partisë PiS”, ka thënë ai në mbrëmje.

Lideri i partisë në pushtet, Jarosław Kaczyński, ka thënë se do të presin për rezultatet më të fundit.

Formimi i qeverisë në Poloni pritet të marrë shumë kohë. Rezultati përfundimtar nuk pritet të dalë deri të martën.

Partia PiS është përballur me rënie të popullaritetit për shkak të menaxhimit të inflacionit të lartë, për çështjet e migrimit dhe për qëndrimin ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Dy javë më parë, rreth 1 milion njerëz kanë marrë pjesë në protestat e thirrura nga opozita, në krye me Tuskun.

Dalja në këto zgjedhje të përgjithshme të Polonisë mund të ketë qenë më e larta ndonjëherë prej rënies së komunizmit më 1989 – 72.9 për qind – sipas zyrtarëve polakë për organizim të procesit zgjedhor.

administrator

Related Articles