“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin para gazetarëve më 24 shtator.
Atë ditë, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Një muaj pas, Kurti tha se sulmin “e kreu Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq”.
Kush ishin sulmuesit dhe çka synuan?
Zyrtarët kosovarë i quajtën ata “terroristë” dhe thanë se u organizuan nga udhëheqja e shtetit serb.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, shkroi Kurti në Facebook më 23 tetor.
Në të njëjtin postim, ai përmendi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e quajti “capo-di-tutti-capi” – një term që zakonisht përdoret për të përshkruar udhëheqësin kryesor të një mafie.
Në ditën e sulmit, autoritetet e Kosovës arrestuan disa sulmues, por shumica prej mbi 80 sish ikën nga vendi i ngjarjes.
Gjatë një muaji hetime e bastisje, ato konfiskuan sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.
Sulmuesit “ishin të pajisur si një këmbësori ushtarake”, ishte vlerësimi i ish-kolonelit amerikan, Gian Gentile, për Radion Evropa e Lirë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se me sulmin në Banjskë, Serbia tentoi ta aneksonte pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas tij, sulmuesit “u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe, brenda Serbisë”.
Teksa tha se Kosova do të kërkojë ekstradimin nga Serbia të të gjithë të përfshirëve të dyshuar në sulm, Sveçla përmendi edhe përfshirjen e mundshme ruse.
Çka u tha në Serbi?
Vuçiq tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokalë” dhe akuzoi Kurtin për, siç u shpreh, “terrorizimin” e serbëve në veri të Kosovës.
Ai mohoi se Serbia ka gisht në ngjarjen në Banjskë dhe tha se do t’i bëjë hetimet e veta.
Ai paralajmëroi, po ashtu, se shteti serb do të ngrejë aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit – politikan dhe biznesmen nga Kosova – i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.
“Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë”, tha Vuçiq më 11 tetor.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë edhe deklaratat e Kurtit për Klanin e pretenduar të Novi Sadit, duke thënë se ato kanë për qëllim “të shkatërrojnë çdo mundësi për qetësimin e tensioneve” në Kosovë.
Si reagoi komuniteti ndërkombëtar?
Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.
“I bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”, tha zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Thirrje të ngjashme bëri edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Vuçiq, në anën tjetër, bëri përpjekje ta sigurojë Perëndimin se nuk e ka ndërmend t’i urdhërojë forcat ushtarake ta kalojnë kufirin.
Dhe, pak ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka nisur tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Kosovën.
Si përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO-ja rriti praninë e forcave të saj në kuadër të misionit KFOR në Kosovë.
Si nga BE-ja, ashtu edhe nga SHBA-ja thonë se janë tani në pritje të rezultatit të hetimeve të sulmit në Banjskë.
Çfarë thanë qytetarët?
“Fajtorë janë politikanët tanë [të Serbisë] dhe të tyre [të Kosovës], të cilët nuk po mund të merren vesh për të na mundësuar një jetë të qetë”, tha për Radion Evropa e Lirë Marko Nedelkoviq nga Banjska – fshat me rreth 200 banorë.
REL-i bisedoi me qytetarë edhe në zona të tjera të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
“E tmerrshme”, “nuk është dashur të ndodhë”, “jetë të humbura kot”, “e trishtueshme”, “nuk dimë pse ndodhi”, “dimë aq sa kemi dëgjuar nga mediat” ishin reagimet e disa prej tyre për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në Beograd, të anketuarit shprehën shqetësim dhe konfuzion.
“Diçka nuk më duket mirë. Kam frikë. Dhëntë Zoti… Shpresoj të jetë mirë”, tha Millka Gjurica.
Si e ndikoi sulmi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?
Bashkësia ndërkombëtare u bëri thirrje të dyja palëve që të kthehen në rrugën diplomatike.
Për t’i bindur ato, përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd.
Burimet diplomatike në Bruksel i thanë REL-it se emisarët perëndimorë paraqitën disa propozime dhe kërkesa konkrete para Kurtit dhe Vuçiqit, të cilat ata duhet t’i përmbushin brenda një afati “shumë të shkurtër”.
Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
Vuçiq tha se pret që dialogu të vazhdojë kah fundi i javës në Bruksel.
Dy udhëheqësit u takuan për herë të fundit më 14 shtator, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë.
Rundi i pasuksesshëm i bisedimeve pasoi disa muaj tensione mes pakicës serbe dhe shumicës shqiptare të Kosovës.
Në qendër të tyre ishte politika e Qeverisë së Kosovës për të vendosur autoritet mbi të gjithë Kosovën.
Serbët e kundërshtojnë këtë dhe kërkojnë më shumë autonomi.
Si Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, insistojnë tani se dialogu duhet të vazhdojë vetëm pasi Serbia të sanksionohet për sulmin e 24 shtatorit.
“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për t’i zgjedhur dallimet mes nesh”, tha Osmani në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 23 tetor.