Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e fushatës informuese për liberalizimin e vizave, e cila ka nisur të enjten në Prishtinë.
Në këtë rast, Kurti ka thënë se duhet pasur kujdes sepse me liberalizimin e vizave janë edhe disa rregulla që duhet respektuar.
“Përgjatë tetorit dhe nëntorit do të mbahet fushata vetëdijësuese në komuna të ndryshme. Siç e dini të gjithë, ky proces ka qenë i tejzgjatur dhe i tejvonuar për qytetarët e Kosovës. Liberalizimi edhe pse do të thotë lëvizje ë lirë, duhet të keni kujdes se janë disa rregulla. Liberalizimi është për vizita afatshkurta dhe jo për punë e studime”, ka thënë Kurti.
Të enjten nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë ka nisur fushata informuese për liberalizimin e vizave. E kjo fushata informuese do të jetë në këtë vend edhe të premten.
Kosovarët do të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024 në zonën Schengen.
Mehdi Sejdiu, këshilltar politik i zv.kryeminsitrit Besnik Bislimi, ka thënë se qëllimi i kësaj ngjarje është marrja e informacioneve të nevojshme për të kuptuar plotësisht të drejtat në lidhje me udhëtimin në zonën Shengen.
Sipas tij, liberalizimi i vizave ka edhe rregullat që duhet të respektohen, si të mos tejkalohen 90 ditë brenda 180 ditëve, të keni pasaportë valide, qëllim të udhëtimit, mjete të mjaftueshme financiare, e gjithashtu liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë pune apo studime.
Shkeljet e rregullave të liberalizimit të vizave, mund të çojnë në pasoja serioze, përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vjet.
The post Nisi fushata informuese, kryeministri Kurti për liberalizimin e vizave: Duhet të keni kujdes, janë disa rregulla appeared first on KosovaNews.