Mohohen raportimet se adoleshentja iraniane ka pësuar “vdekje në tru”
Familjarët dhe mjekët e Armita Garavand, një nxënëse e shkollës së mesme që është në gjendje kome pasi dyshohet se është sulmuar nga “policia e moralit” për shkak të mosveshjes së hixhabit, kanë hedhur poshtë raportimet mediale se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar dhe se 16-vjeçarja ka të ngjarë që ka pësuar “vdekje në tru”.

Dy burime të afërta me Garavandën, duke cituar burime shëndetësore në spialin Fajr të Teheranit, mohuan raportimet se Armita ka pësuar “vdekje në tru” dhe thanë se familja e saj “ende shpreson se ajo do të rikthehet”.

Një anëtar i familjes së adoleshentes shtoi se mjekët që po e trajtojnë atë kanë thënë se “nuk janë të vërteta” raportimet se ajo ka pësuar vdekje në tru, edhe pse sa i përket gjendjes së saj shëndetësore, mjekët kanë argumentuar se nuk kanë mundësi të tjera shëndetësore që ta ndihmojnë atë dhe se “gjithçka është në duart e Zotit”.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Borna, që është e lidhur me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, citoi burime më 22 tetor që thanë se “gjendja shëndetësore e Garavandës nuk është premtuese pavarësisht përpjekjeve për trajtim nga stafi mjekësor, vdekja në tru duket se është e pashmangshme”.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe gazetarët kanë thënë se Garavand dhe dy shoqet e saj u konfrontuan më 1 tetor nga zyrtarët policorë pasi ato nuk kishin veshur hixhabin dhe po tentonin të hynin në një stacion metroje në Teheran. Zyrtarët e sulmuan fizikisht Garavandën, e cila më pas humbi vetëdijen.

Burimet brenda spitalit Fajr kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Garavanda ka pësuar gjakderdhje të brendshme në tru dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

administrator

Related Articles