“Qëndrimi ynë është i qartë. Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as të një fëmije të vogël”, tha Millanoviq, duke iu referuar sulmit në Banjskë.
Në Banjskë, një grup i armatosur i serbëve sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin në këtë fshat, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar çdo përfshirje.
Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradi zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin në Banjskë, që autoritetet në Kosovë e cilësojnë si sulm terrorist.
Sulmi është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Kush ishin ata? Nga erdhën? Kush i financoi? Këto janë gjëra që i kemi parë në histori dhe nuk duam t’i shohim më. Dikush qëndron pas sulmit dhe ne duhet ta dimë këtë”, tha Millanoviq.
Presidenti korat tha se “një ngjarje e tillë në të ardhmen, në një shkallë tjetër, nuk duhet të lejohet që të ndodhë”.
Ai tha se për pyetjet lidhur me këtë sulm duhet të përgjigjet Serbia.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti qëndrimin se për shkak të sulmit në Banjskë, Serbia duhet të sanksionet në mënyrë që, sipas saj, sulme të tilla të mos të ndodhin në të ardhmen.
Ajo tha se synimi i Serbisë është aneksimi i pjesës veriore të Kosovës, që banohet me shumicë serbe.
Por, Millanoviq është kundër sanksioneve sepse ai beson se ato janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, nëse nuk miratohen nga Kombet e Bashkuara. Po ashtu, presidenti kroat ka argumentuar se nëse sanksionet nuk miratohen nga OKB-ja, do të ishin joefektive.