Përpjekjet e shpëtimit kanë vazhduar më 8 tetor në perëndim të Afganistanit, një ditë pas një serie të tërmeteve të fuqishme që shkaktuan dëme të mëdha dhe vranë deri në 2.000 persona.

Kjo po konsiderohet si fatkeqësia më e madhe natyrore që ka goditur Afganistanin në vitet e fundit.

Numri i viktimave pas tërmetit prej 6.3 shkallësh mbetet i paqartë, pasi ka vlerësime të ndryshme.

Në orët e vona të 7 tetorit, Kombet e Bashkuara thanë se sipas vlerësimeve paraprake, 320 persona kanë vdekur. Por, më pas thanë se numri i viktimave është ende duke u verifikuar.

Autoritetet lokale kanë thënë se 100 persona kanë vdekur dhe 500 janë lënduar.

Megjithatë, më 8 tetor një anëtar i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët ka përditësuar shifrat sa i përket viktimave, duke thënë se tani numri ka arritur në 2.000.

Mullah Janan Sayeeq, zëdhënës në Ministrinë e Fatkeqësive, tha për agjencinë Reuters se 2.053 persona kanë vdekur, 9.240 janë lënduar dhe 1.329 shtëpi janë dëmtuar apo shkatërruar.

Epiqendra e tërmetit të parë ishte rreth 40 kilometra në veriperëndim të Heratit, qytet me afër 700.000 banorë. Tërmeti i parë u pasua edhe me tre pasgoditje të fuqishme.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti më i fuqishëm ishte 6.3 shkallë të Rihterit, ndërkaq pasgoditjet ndodhën rreth 30 kilometra në verilindje të qytetit Zindah Jan, që ka një popullsi prej 70.000 personash.

Zëdhënësi i autoritetit për fatkeqësi, Mohammad Abdullah Jan, tha se katër fshatra në qarkun Zenda Jan në provincën e Heratit u goditën më së keqi nga pasgoditjet.

Afganistani shpesh goditet nga tërmetet, veçmas në vargmalin e Hindu Kushit, që gjendet afër pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, mbi 1.000 persona u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi një tërmet prej 5.99 shkallësh goditi provincën Paktika. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në pothuajse çerekshekulli.

Në mars të këtij viti, 13 persona u vranë në Afganistan dhe Pakistan, pas tërmetit prej 6.5 ballësh që kishte epiqendrën në Jurm, në verilindje të Afganistanit.

Afganistani veçse po përballet me krizë humanitare, për shkak të ndalimit të ndihmës së huaj pas rikthimit të talibanëve në pushtet më 2021.

administrator

Related Articles