Duke folur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, Kurti tha se qëllimi kryesor i tyre është “ta fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin atë si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”.
“Për ta arritur këtë nuk do zgjedhin mjet”, theksoi ai.
Paralajmerimi i Kurtit vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, kryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Kurti kujtoi veprimet e Serbisë pas sulmit, e cila shpalli ditë zie dhe i lartësoi si heronj tre sulmuesit serbë që u vranë në Banjskë, si nxitje për sulme të reja të mundshme në Kosovë.
“Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke i intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me republikën tonë, vetëm sa i ka inkurajuar”, shtoi ai.
Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës në veçanti “që ditëve, javëve dhe muajve në vijim, të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe.”
“Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Ju ftoj të mbështeteni në Policinë e Kosovës dhe t’i raportoni sjelljet e dyshimta të individëve nëpër komunitetet e juaja”, nënvizoi Kurti.
Sulmi në Banjskë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian (BE).
Më 2 tetor, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Brukseli është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur dhe se, në bazë të asaj, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.
Masa ndaj Serbisë kërkuan në të njëjtën ditë kryeministrat e Kroacisë dhe Shqipërisë, Andrej Plenkoviq dhe Edi Rama.
Paraprakisht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ia ka përmendur një mundësi të tillë në një bisedë telefonike.
Po ashtu, NATO e ka rritur praninë e forcave të misionit të vet paqeruajtës në Kosovë, KFOR, pas sulmit.