“Siguria e Kosovës ishte tema kryesore e bisedës sonë. Senatorëve ua shpalosa informacionet më të fundit rreth sulmit në Banjskë”, tha Kurti në një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, Peter Welch dhe Jeanne Shaheen në Prishtinë.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmi në Banjskë ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut më 14 shtator në Bruksel.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Kurti tha të premten se në takim me senatorët amerikanë kërkoi që “kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese, agresive të Serbisë, përpjekjet e saj për aneksimin e veriut të Kosovës. Duhet të ndërmerren hapa që dialogu të ketë edhe një mundësi tjetër për të pasur sukses”.
Ai, po ashtu, i kërkoi Serbisë “t’i japë fund menjëherë deklarimit se nuk e njeh Kosovën, të mos i refuzojë më pjesët e marrëveshjes bazë që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe kjo shumë e rëndësishme për stabilitetin e sigurisë.”
Marrëveshja Bazë – për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Bruksel të cilës më vonë iu shtua një ankesë në mars – u kërkon palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë.
Dy palëve u kërkohet ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.
Palëve u kërkohet që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Për autoritetet në Kosovë, kjo pikë nënkupton që Serbia e njeh de fakto shtetësinë e Kosovës.