Ai ka paralajmëruar përforcime edhe nga “vendet tjera aleate”.
Në një konferencë lamtumirëse për mediat në Prishtinë, – teksa e kryen mandatin e tij – Ristuccia ka thënë se rritja e numrit të trupave në Kosovë është e domosdoshme, në mënyrë që KFOR-i të mund ta përmbushë mandatin që ka.
Ristuccia i ka përmendur incidentet e muajve të fundit, kryesisht në veri të Kosovës, dhe ka vlerësuar se të gjitha tregojnë që situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të tensionohet shpejt.
Ai e ka përmendur që vetëm një zgjidhje politike do të mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, dhe e ka përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Komandanti në shkuarje i KFOR-it ka thënë se situata tani në Kosovë është më e qetë sesa ditëve të fundit, mirëpo “nëse palët nuk ulen për ta negociuar një zgjidhje politike, kjo situatë do të jetë më e cenueshme dhe më e paqëndrueshme sesa ajo paraprake”.
“Dy palët duhet të ulen në tavolinë negociuese. Prandaj e mbështesim dialogun. Besojmë plotësisht në përpjekjet diplomatike për ta gjetur një zgjidhje për këtë situatë”.
I pyetur për mundësinë e ndërtimit të bazës së re ushtarake në Kosovë, Ristuccia, ka thënë se nuk sheh nevojë për diçka të tillë.
Ai ka rikujtuar se KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e zonës kufitare të Kosovës me Serbinë dhe ka forca të angazhuar përreth saj, mirëpo që tereni problematik – kryesisht malor – lë hapësirë për qarkullime të shumëfishta.
I pyetur se si ka arritur të hyjë në Kosovë gjithë sasia e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës, komandanti i KFOR-it ka thënë se ende janë duke u bërë hetime, mirëpo marrë parasysh sasinë dhe llojin, dihet që qëllimi i sulmit ka qenë destabilizimi.
“Situata pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë rreth 570 zyrtarë policorë, e ka krijuar një vakum shumë të rrezikshëm në veri. Kjo pasiguri përbën shqetësim për ne. Prandaj bëjmë thirrje për ulje të menjëhershme në tavolinën e negocimit”, ka thënë Ristuccia, duke e vënë theksin te nevoja e riintegrimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
Serbët në Kosovë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.