Ish-avokatja e Trumpit pranon fajësinë për rastin e rezultateve zgjedhore në Xhorxhia
Sidney Powell, ish-avokatja e Donald Trumpit, ish-presidentit amerikan, është deklaruar fajtore për gjashtë akuzat kundër saj që lidhen me ndërhyrjet në zgjedhjet presidenciale amerikane në shtetin Xhorxhia.

Powell, e cila i ka çuar përpara pretendimet e rreme për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ka arritur marrëveshje me prokurorët dhe do të dëshmojë në gjykatë.

Për këtë rast janë paditur edhe 19 persona tjerë, përfshirë ish-presidentin Trump.

Powell është përballur me akuza për komplot për të nxitur ndërhyrje në çështjet zgjedhore.

Në këmbim të lirimit me kusht nga dënimi prej gjashtë vjetëve burgim, Powell duhet të dëshmojë vetëm të vërtetën në seancat e radhës.

Ky hap shënon fitore të madhe për prokurorët, duke marrë parasysh përfshirjen e saj në luftën e Trumpit për ta përmbysur rezultatin zgjedhor.

Asaj i është kërkuar edhe që ta shkruajë një dokument, duke treguar të gjitha aktivitetet e saj që lidhen me këtë rast, ta paguajë gjobën, dhe t’ua nisë një kërkimfalje të gjithë banorëve të Xhorxhias.

Ajo e ka pranuar fajësinë vetëm një ditë para nisjes së gjyqit.

Prokurorët e kanë akuzuar atë se ka qenë në mesin e grupit të zyrtarëve të Trumpit dhe mbështetësve që e kanë thyer një sistem zgjedhor në një qark të Xhorxhias, në janar të vitit 2021.

Ata kanë tentuar t’i bindin zyrtarët zgjedhorë dhe votuesit se zgjedhjet disi janë manipuluar kundër Trumpit.

Powell, në veçanti, është akuzuar se ka angazhuar ekip të forenzikës dhe e ka dërguar atë në Xhorxhia, që ilegalisht të ketë qasje në kompjuterët qeveritarë dhe t’i analizojë të dhënat e votuesve.

Vetë Trump është deklaruar i pafajshëm për këtë rast.

Në total, presidenti përballet më 13 akuza për shkelje të rënda, nën dyshimet se u ka bërë presion zyrtarëve në Xhorxhia që ta përmbysin rezultatin zgjedhor në atë vend.

 

Powell është personi i dytë që e pranon fajësinë për këtë rast.

Scott Hall, ish-vëzhgues i sondazheve republikane, ka arritur marrëveshje me prokurorët në fund të shtatorit.

administrator

Related Articles