Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Ubaida, e ka lëshuar një deklaratë duke e bërë të ditur lirimin e tyre.
Kjo është hera e parë e lirimit të pengjeve, prej sulmit të armatosur të Hamasit në Izrael, më 7 tetor.
Në sulmet e Hamasit janë vrarë 1.400 persona, kryesisht civilë, dhe janë marrë rreth 200 pengje.
Kanali 13 i lajmeve në Izrael, ka thënë se Izraeli e ka konfirmuar lirimin e dy pengjeve, por pa dhënë më shumë hollësi, raporton Reuters.
Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, i cili e udhëheq Rripin e Gazës, dhe është duke nisur vazhdimisht raketa në drejtim të atij rajoni me 2.3 milionë banorë, të cilët janë nën rrethim të plotë dhe pa ushqim, ilaçe dhe burime të energjisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka vizituar të premten pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit, dhe ka thënë se ndihma humanitare duhet të zhbllokohet sa më shpejt që është e mundur.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, të paktën 4.137 palestinezë janë vrarë, përfshirë qindra fëmijë, dhe mbi 13.000 persona janë plagosur.
OKB-ja ka thënë se mbi 1 milion njerëz mund të jenë pa strehë mbi kokë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të premten se arritja e synimeve të Izraelit nuk është as e lehtë, as nuk mund të ndodhë shpejt.
“Ne do ta rrëzojmë organizatën Hamas. Ne do ta shkatërrojmë ushtrinë e tij dhe infrastrukturën qeverisëse. Është fazë që nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë çmim”, ka thënë ai para një komisioni parlamentar.
Ai ka thënë se qëllimi kryesor është që të Izraeli të mos kërcënohet nga Gaza.
“Nuk është një ditë, as një javë, dhe fatkeqësisht as një muaj”, ka thënë ai, duke iu referuar afateve kohore se kur do të mund të jetësohen synimet e vendit të tij.