Fico, partia e të cilit Drejtimi Social Sllovak (SMER) që fitoi zgjedhjet më 30 shtator, është zotuar se do të ndalë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë. Qeveria e tij e re pritet të marrë detyrën para samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet më 26-27 tetor, ku Ukraina do të jetë në krye të agjendës.
Qeveria e udhëhequr nga Fico pritet ta afrojë Sllovakinë me Hungarinë, në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera perëndimore po tentojnë të mbajnë unitetin sa i përket mbështetjes për Ukrainën.
SMER dhe partia e qendrës së majtë Hlas (Zëri) dhe nacionalistët e SNS-së nënshkruan një memorandum për formimin e koalicionit qeverisës. Këto parti u zotuan më 11 tetor se do të vazhdojnë të mbajnë qëndrimet themelore të shtetit sa i përket politikës së jashtme, pasi Sllovakia është anëtare e NATO-s dhe BE-së.
“Partitë [nënshkruese të memorandumit] garantojnë orientimin e politikës së jashtme të Republikës Sllovake mbi bazën e anëtarësimit të Sllovakisë në BE, NATO dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, përderisa do të respektojmë sovranitetin dhe interesat kombëtare”, u tha në memorandum.
Megjithatë, në memorandum nuk u dhanë detaje lidhur me politikën e jashtme.
Fico është zotuar se do të ndalë ndihmën ushtarake për Ukrainën, teksa ekzekutivi paraprak kishte dërguar në Ukrainë avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore të llojit S-300 dhe makina luftarake.
Para zgjedhjeve, ai po ashtu kishte thënë se dëshiron të rinegociojë traktatin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Uashingtonin.
Fico mbështet ndihmën humanitare dhe për rindërtimin e Ukrainës dhe dëshiron që BE-ja të nisë bisedime të paqes, që Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë refuzuar. Sipas Ficosd, armatosja e Ukrainës vetëm do të inkurajojë agresionin e Rusisë.