Shkarkimi i Kevin McCarthyt nga pozita e udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, i ka rritur paqartësitë në Kongresin amerikan lidhur me ndihmën në Ukrainë, disa ditë pasi ligjvënësit nuk kanë ndarë buxhet për t’i ndihmuar Qeverisë ukrainase.
Sa para kanë mbetur pas ndarjeve buxhetore?
Kongresi e ka miratuar buxhetin prej 113 miliardë dollarëve për ushtri, ekonomi dhe ndihmë humanitare për Ukrainën, prej kur Rusia e ka nisur pushtimin në shkurt të vitit 2022, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit.
Një zyrtar amerikan ka thënë këtë javë se Departamentit amerikan të Mbrojtjes i kanë mbetur vetëm 1.6 miliard dollarë për t’i zëvendësuar armët e dërguara në Ukrainë, nuk ka fonde për Iniciativën për Asistencë në Ukrainë dhe 5.4 miliardë dollarë, të cilat vetëm presidenti amerikan, Joe Biden ka autoritetet për t’i shfrytëzuar për dërgimin e armëve në Ukrainë.
Në kuadër të Iniciativës për Asistencë në Ukrainë, administrata e Bidenit mund të blejë armë nga industria, në vend që t’i marrë ato prej rezervave ushtarake.
Pse do të debatojë Kongresi për ndihmën në Ukrainë?
Ndonëse në disa sondazhe është thënë se populli amerikan ende e mbështet Ukrainën, kur është puna te çështjet buxhetore, mbështetja është duke u zbehur.
Një numër relativisht i vogël i republikanëve e kanë kritikuar prej fillimit nisjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke e akuzuar Qeverinë në Kiev se po dështon ta luftojë si duhet korrupsionin, akuza që mohohen nga zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas.
Ata, po ashtu, argumentojnë se teksa SHBA-ja përballet me sfida buxhetore, Qeveria federale duhet t’i shpenzojë paratë brenda territorit të vet, apo që t’i rrisë kapacitetet për të konkurruar me Kinën.
Shumë prej këtyre republikanëve janë të lidhur ngushtë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, kandidatin kryesor të republikanëve për ta fituar nominimin për të garuar edhe për një mandat presidencial.
Trump, ndaj të cilit patën nisur procedurat për shkarkim më 2019 – nën dyshimet se e ka mbajtur pezull ndihmën për Ukrainën për t’i bërë presion udhëheqësisë atje që t’i ndihmojë politikisht, ka thënë se ai do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve dhe që lufta është më e rëndësishme për Evropën sesa për Shtetet e Bashkuara.
Sa do të mund t’i ndihmojë SHBA-ja Ukrainës me ritmin e deritashëm?
Situata nuk është shumë e qartë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku McCarthy është shkarkuar të martën, kryesisht për shkak të gatishmërisë së tij që të bëjë kompromis me demokratët për legjislacionin për ndihmën ndaj Ukrainës.
Ende nuk ka emër të saktë se kush do të mund ta zëvendësojë McCarthyn, mirëpo udhëheqësi i ri do të mund të nxjerrë telashe të reja, nëse është kundër ofrimit të ndihmës së mëtutjeshme.
Disa prej kandidatëve kyçë për ta marrë këtë pozitë, në mesin e republikanëve, tashmë e kanë kundërshtuar kërkesën e Bidenit për ndihmë.
Demokratët, të cilët e përkrahin fuqishëm ndihmën për Ukrainën, insistojnë se Kongresi do ta mbështesë vazhdimin e ndihmës.
Shumë republikanë të Senatit, përfshirë figurat me ndikim si lideri i republikanëve në Senat Mitch McConnell, janë njëzëri me demokratët.
Si mund të zgjidhet kjo çështje?
Ekzistojnë edhe disa mënyra tjera shtesë që ndihma për Ukrainën të shndërrohet në ligj.
Ajo mund të përfshihet në një projektligj më gjithëpërfshirës për shpenzime, të cilin Kongresi duhet ta miratojë më vonë gjatë këtij viti për ta shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane.
Shmangia e mbylljes së Qeverisë, ditë më parë, është arritur në momentin e fundit dhe është shtyrë deri në mesin e nëntorit.
Një tjetër mënyrë është që ndihma të miratohet përmes një projektligji të veçantë, qoftë i vetëm, ose i kombinuar, me më shumë para për siguri kufitare.
Përgatiti: Krenare Cubolli