Dënohet ashpër sulmi vdekjeprurës ndaj spitalit në Gazë
Një sulm vdekjeprurës ajror ndaj një spitali në Rripin e Gazës të martën vonë, ku po shëroheshin të plagosur dhe po strehoheshin shumë palestinezë, është dënuar ashpër.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 500 persona janë vrarë si pasojë e këtij sulmi, për të cilin e ka fajësuar Ushtrinë e Izraelit.

Izraeli i ka mohuar akuzat se e ka bombarduar spitalin.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, tha të martën vonë se sulmi ndaj spitalit Al-Ahli e “shton tmerrin e tragjedisë që po ndodh para syve tanë tash e sa ditë.”

“Përsëri, civilët e pafajshëm po e paguajnë më së shtrenjti. Duhet gjetur qartazi se kush është përgjegjës për këtë krim dhe kryerësit e tij të mbahen përgjegjës”, tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi sulmin ndaj spitalit në jug të Rripit të Gazës, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab”, tha drejtori i organizatës së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas sulmit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.

Mbreti Abdullah i Jordanisë e cilësoi sulmin ndaj spitalit si “masakër” dhe “krim luftë” për të cilin nuk mund të heshtet.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin, duke e cilësuar si “shembulli më i freskët se sulmeve të Izraelit u mungojnë vlerat më themelore njerëzore.

“E ftoj gjithë njerëzimin të ndërmarrë veprime për ta ndaluar këtë brutalitet të paparë në Gaza”, tha Erdogani në X.

Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.

Në jug, të martën bombardimet e pareshtura izraelite i vranë dhjetëra civilë dhe të paktën një komandant të lartë të grupit militant, Hamas, të cilat Izraelit thotë se për cak i kanë militantët.

administrator

Related Articles