“Ky është racizëm”, ka thënë Jawad, mjek prej lagjes Mjolnerparken në qendër të Kopenhagës, e cila është e rrethuar me zona tjera që janë duke u tjetërsuar.
“Ndonëse kam lindur dhe jam rritur në Danimarkë, në statistika unë jam migrant joperëndimor”, ka thënë ky 29-vjeçar për agjencinë e lajmeve AFP.
Danimarka e ka miratuar një ligj kontrovers më 2018 për t’i rizhvilluar disa “geto” të varfra, në të cilat ka koncentrim të madh të migrantëve.
Në plane përfshihet rindërtimi dhe renovimi i pronave dhe ndryshimi i mënyrës së qiradhënies.
Për disa dekada, Danimarka ka qenë një prej vendeve me politikat më strikte për migrantët në Evropë, dhe me raste, partitë e ekstremit të djathtë kanë folur edhe me tone kundër migrantëve.
Tetë në 10 persona në Mjolnerparken konsiderohen “joperëndimorë”, dhe personat nga vendet jashtë BE-së – prej Ballkanit dhe Evropës Lindore – hyjnë në atë kategori.
Banorët e lagjes Mjolnerparken kanë thënë se do ta padisin Danimarkën në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.