Blinken: SHBA-ja nuk do luftë me Iranin, por do ta mbrojë veten
Shtetet e Bashkuara thanë në Kombet e Bashkuara se nuk dëshirojnë konflikt me Iranin, por sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se Uashingtoni do të vepronte menjëherë dhe në mënyrë të vendosur nëse Irani apo bashkëpunohet e tij do të sulmonin personelin amerikan kudo.

Blinken foli gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përderisa frika është rritur se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit – grupit militant palestinez që ka mbështetjen e Iranit – në Rripin e Gazës mund të shndërrohet në një luftë më të gjerë, duke përfshirë Hezbollahun e Libanit që po ashtu ka mbështetjen e Teheranit.

“SHBA-ja nuk kërkon konflikt me Iranin. Ne nuk duam që kjo luftë të zgjerohet. Por, nëse Irani apo bashkëpunëtorë e tij sulmojnë personelin amerikan kudo, ne do të mbrojmë popullin tonë, do të mbrojmë sigurinë tonë në mënyrë të shpejtë dhe të vendosur”, tha ai.

Ushtria amerikane po ndërmerr hapa të rinj për të mbrojtur trupat e saj në Lindjen e Mesme, pasi janë rritur shqetësimet lidhur me sulmet nga grupet që mbështeten nga Irani, thanë zyrtarët për Reuters. SHBA-ja po ashtu ka dërguar luftanije dhe avionë luftarakë në rajon për të ndaluar Iranin dhe grupet që ai mbështet.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare që të dërgojnë një mesazh të qartë dhe të përbashkët ndaj çdo aktori shtetëror apo joshtetëror që po e shqyrton mundësinë e hapjes së një fronti të ri në këtë konflikt kundër Izraelit, apo që dëshiron të sulmojë partnerët e Izraelit, përfshirë SHBA-në, që të mos e bëjnë këtë. Nuk duhet t’i hedhin benzinë zjarrit”, tha Blinken.

SHBA-ja i ka ofruar mbështetje të plotë Izraelit, pasi Hamasi nisi sulme të koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.400 izraelitë. Izraeli është kundërgjigjur me sulme ajrore në Gazë, duke vrarë mbi 5.700 persona, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Pas nisjes së sulmeve të Hamasit, Irani e ka përgëzuar këtë grup militant. Ndërkaq, Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.

administrator

Related Articles