
“Plani i ri i rritjes” është një paketë e gjerë investimesh e Bashkimit Evropian, që pritet të shpaloset gjatë punimeve të samitit në Tiranë të Shqipërisë.
“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, deklaroi më 15 tetor presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kjo është hera e parë që një takim i procesit të Berlinit organizohet jashtë kufijve të BE-së. Përveç zyrtarëve të bllokut evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor, në samit marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Pritja e liderëve të BE nis në orën 11:00 dhe më pas hapja zyrtare e samitit do të bëhet me fjalën që do të mbajnë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Pas sesionit të parë që për temë do të ketë integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe përmirësimin e konvergjencës me BE-në, do të mbahet një drekë pune ku do të diskutohet për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe çështjet dypalëshe: Drejt një paradigme të re evropiane”.
Gjatë kësaj dreke pune pritet të diskutohet për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, sulm që rezultoi me vrasjen e rreshterit, Afrim Bunjaku.
Ky sulm, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë – por, për të cilin Beogradi thotë se nuk ka gisht në të – është dënuar ashpër nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.
Të dielën, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, deklaroi në Tiranë se “Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut dhe se rruga e vetme për normalizimin e raporteve është Marrëveshja e Ohrit”.
Ajo iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që u arrit në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër, Kosova dhe Serbia arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.
Gjatë samitit të Procesit të Berlinit po ashtu pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.
Pasdite, në orën 14:45 do të jetë konferenca e përbashkët për media e kryeministrit shqiptar, kancelarit gjerman dhe presidentes së KE-së.
Procesi i Berlinit është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Kjo nismë shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.